Ligji për ndalimin e duhanit, i cili ishte paralajmëruar të miratohej që në fillim të marsit, ende nuk ka kaluar në procedurë qeveritare dhe vazhdon të mbetet në pritje. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka deklaruar disa herë se bëhet fjalë vetëm për çështje kohe deri në miratim.
Sipas tij, drafti i ligjit tashmë është përgatitur dhe ka kaluar pothuajse të gjitha fazat e nevojshme, ndërsa aktualisht pritet që të shqyrtohet dhe miratohet në mbledhjen e Qeverisë, për t’u dërguar më pas në Kuvend.
Ai theksoi se në aspektin teknik dhe përmbajtësor, ligji është i kompletuar, ndërsa vonesat lidhen kryesisht me procedurat administrative brenda Qeverisë.
Kujtojmë se disa javë më parë, ky projektligj nuk arriti të marrë miratim për shkak të mosdakordësimit të plotë me përfaqësuesit e sektorit të gastronomisë. Versioni i ri parasheh masa më të ashpra, përfshirë ndalimin total të pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura publike, pa përjashtime, si dhe rregulla më strikte për shitjen dhe ekspozimin e produkteve që përmbajnë nikotinë, përfshirë edhe cigaret elektronike.
