Qeveria e vazhdoi masën për uljen e akcizave të derivateve të naftës deri më 4 maj

Qeveria ka vendosur të zgjasë edhe për dy javë masën për uljen e akcizave të derivateve të naftës, duke e mbajtur në fuqi deri më 4 maj, në përpjekje për të lehtësuar kostot për qytetarët dhe për të ruajtur stabilitetin ekonomik.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme qeveritare, ku është vlerësuar situata ekonomike aktuale dhe ndikimi i luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare mbi tregun vendor të karburanteve.

Sipas masës së miratuar, akciza për dizelin do të mbetet e ulur për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktan ulja vazhdon me 2 denarë për litër. Autoritetet vlerësojnë se kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e çmimeve me pakicë dhe në lehtësimin e shpenzimeve të transportit për qytetarët dhe bizneset.

Nga Qeveria theksojnë se vazhdimi i kësaj mase është pjesë e angazhimit për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve dhe për të zbutur efektet e inflacionit, në një periudhë kur çmimet globale vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme.

Paralelisht, është vendosur që norma preferenciale e TVSH-së prej 10 për qind të vazhdojë të aplikohet vetëm për benzinat, ndërsa për produktet e tjera do të rikthehet norma standarde prej 18 për qind.

Sipas përllogaritjeve paraprake, pritet që Komisioni Rregullator për Energjetikë të miratojë një ulje shtesë të çmimeve të derivateve me rreth 1,5 denarë për litër. Përveç kësaj, mbetet në fuqi edhe marrëveshja me kompanitë e naftës, e cila parasheh ulje shtesë prej 3 denarësh për litër për dizelin dhe 2 denarësh për litër për benzinat.

Me këto masa, pritet që çmimet e karburanteve të ulen edhe më tej, duke ndikuar pozitivisht në buxhetin e qytetarëve dhe në uljen e presioneve inflacioniste në ekonomi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *