Padi penale ndaj Blerim Bexhetit – dyshime për keqpërdorim mbi 42 milionë denarë!

  1. Më 17 prill 2026, Njësia për luftimin e korrupsionit në kuadër të Departamentit për Krim të Organizuar dhe të Rëndë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike në Shkup ndaj dy personave nga kryeqyteti, të identifikuar me inicialet Z.D. (61) dhe B.B. (49). Ata dyshohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Sipas të dhënave zyrtare, Z.D., duke u mbështetur në autorizimin e marrë nga kryetari i Qytetit të Shkupit në vitin 2021, i ka mundësuar një kompanie nga fshati Krushopek (me degë në Gllumovë) përfitime të paligjshme në vlerë mbi 3.2 milionë denarë. Ai kishte firmosur një vendim për rregullimin e komunikacionit, i cili më pas është përdorur si bazë për realizimin e kontrolleve teknike, ndonëse kjo kompetencë nuk i takonte Qytetit të Shkupit, por Komunës së Sarajit.

Ndërkohë, ish-kryetari i Komunës së Sarajit, B.B., dyshohet se i ka mundësuar të njëjtit subjekt përfitim financiar prej mbi 42.8 milionë denarë. Gjatë periudhës nga tetori 2022 deri në mars 2023, ai ka miratuar dy vendime për komunikacionin pa kryer verifikimet e nevojshme. Sipas hetimeve, ai ka anashkaluar faktin se dokumentacioni nuk ishte në përputhje me Planin Urbanistik për Gllumovën, duke shkelur ligjet për vetëqeverisje lokale, planifikim urban dhe ndërtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *