Një ekip kërkuesish ka hedhur idenë për shtimin e një ngjyre të re në semaforë – të bardhës – si një mënyrë për të përmirësuar qarkullimin rrugor në një të ardhme ku automjetet autonome do të jenë më të përhapura. Propozimi vjen nga studiues në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe mbështetet në konceptin e ashtuquajtur “fazë e bardhë”, e cila synon të krijojë komunikim më të avancuar mes makinave dhe semaforëve përmes teknologjisë pa tel.
Sipas këtij modeli, drita e bardhë nuk do të zëvendësojë sinjalet tradicionale (të kuqe, portokalli dhe jeshile), por do të përdoret si një element shtesë. Ajo do të ndizet në rastet kur në një kryqëzim ka një numër të konsiderueshëm automjetesh autonome dhe do t’u sinjalizojë drejtuesve që të ndjekin automjetin para tyre, duke mundësuar një koordinim më efikas të trafikut.
Në situata kur prania e automjeteve autonome është e vogël, sistemi rikthehet automatikisht në funksionimin klasik të semaforëve.
Rezultatet nga simulimet tregojnë se kjo qasje mund të ketë ndikim pozitiv në rrjedhën e trafikut. Edhe me një përqindje prej rreth 10% automjetesh autonome, mund të ketë një ulje të ngarkesës së trafikut me afro 3%. Kur kjo përqindje rritet në 30%, reduktimi mund të arrijë deri në 11%, ndërsa në kushte më të avancuara teknologjikisht përfitimet pritet të jenë edhe më të mëdha.
Megjithatë, realizimi i këtij projekti përballet me disa sfida të rëndësishme, si kostot e larta të infrastrukturës dhe nevoja për sisteme të sofistikuara komunikimi ndërmjet automjeteve dhe rrugëve.
Për këtë arsye, studiuesit propozojnë që fillimisht të zhvillohen testime pilot në ambiente të kontrolluara, si kampuse universitare, porte apo zona logjistike, përpara se kjo teknologji të aplikohet në shkallë të gjerë në qytete
