Dy gra, të moshave 62 dhe 56 vjeç, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë në Kavadar, pasi dyshohet se kanë pësuar helmim nga konsumimi i vezëve të mbetura nga Pashkët. Njëra prej tyre është mbajtur për trajtim në spitalin e qytetit, ndërsa tjetra, pas disa orësh nën mbikëqyrje mjekësore, është larguar me kërkesën e saj, duke deklaruar se gjendja i ishte përmirësuar.
Rastin e ka konfirmuar për mediat doktori Antoan Parakeov, përgjegjës i Shërbimit të Ndihmës së Shpejtë në Kavadar.
Ndërkohë, mjeku Ratko Grkov bëri të ditur se gjatë turnit të tij janë paraqitur edhe pacientë të tjerë me simptoma më të lehta, të cilët kanë raportuar se kishin konsumuar vezë të mbetura nga festat.
Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes me ushqimet e ruajtura për një kohë më të gjatë, sidomos gjatë periudhës pas festave, për të shmangur rreziqet e mundshme për shëndetin.
