Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se vendi duhet të gjejë një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme nuk është alternativë.
Ai theksoi se afati kushtetues po afrohet dhe se kjo çështje kërkon bashkëpunim politik dhe vendime të vështira. Sipas tij, asnjë parti nuk ka fuqinë për të siguruar shumicën e nevojshme e vetme, ndaj dialogu dhe kompromisi janë të domosdoshëm.
Kurti shtoi se stabiliteti i vendit është prioritet, duke rikujtuar se qytetarët kanë votuar për një mandat të plotë katërvjeçar. Ai paralajmëroi se zgjedhjet e reja do të sillnin edhe kosto financiare të larta.
Në kuadër të përpjekjeve për marrëveshje, ai pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të partive politike.
Sa i përket ekonomisë, Kurti bëri të ditur se kanë nisur pagesat nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 61 milionë euro, pjesë e Planit të Rritjes, të cilat do të përdoren për projekte zhvillimore.
Ai gjithashtu kërkoi nga Kuvendi që të përshpejtojë miratimin e ligjeve të nevojshme për përfitimin e fondeve të tjera dhe theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
