“Juventusi rikthen ‘planin e fshehtë’: A do ta rrëmbejë Jasharin nga Milani këtë verë?”

Juventus po analizon opsionet për të forcuar mesfushën gjatë merkatos së verës, ndërsa trajneri Luciano Spalletti kërkon alternativa cilësore përkrah Manuel Locatelli. Mes emrave që janë rikthyer në fokus është edhe Ardon Jashari.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, mesfushori i AC Milan është një nga profilët që po vlerësohen nga drejtuesit bardhezi. Interesi i Juventusit për të nuk është i ri, pasi klubi torinez kishte tentuar ta afronte edhe më herët, kur ai aktivizohej te Club Brugge, por në atë kohë gara u fitua nga Milani.

Jashari, i lindur në vitin 2002, u transferua në “San Siro” për rreth 36 milionë euro plus bonuse, por sezoni i tij i parë në Serie A nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Një dëmtim serioz e la jashtë fushave për një periudhë të gjatë, duke kufizuar ndjeshëm hapësirat dhe ndikimin e tij në skuadër.

Deri tani, ai ka regjistruar pak paraqitje dhe nuk ka arritur të fitojë një vend të qëndrueshëm në formacion. Kjo situatë mund të ndikojë në vendimet e ardhshme për karrierën e tij. Nëse roli i tij te Milani nuk ndryshon, nuk përjashtohet mundësia që mesfushori të shqyrtojë alternativa të reja, me Juventusin që mbetet një nga klubet më të interesuara për ta rikthyer në radar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *