Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka folur për zhvillimet e fundit që lidhen me Ansamblin Muzikor të Tetovës, pas publikimit të draft-strategjisë për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut.
Sipas dokumentit, parashihet riorganizimi i disa institucioneve kulturore, ndërsa Ansambli i Tetovës përmendet si institucion me kapacitete të kufizuara. Në të njëjtën kohë, përmendet edhe një proces i mundshëm “racionalizimi”, që ka ngritur dilema për të ardhmen e tij.
I pyetur nga gazetarët, Kasami theksoi se Ministria e Kulturës ka përgatitur një plan për funksionalizimin më efikas të institucioneve, me fokus të qartë në shërbimin ndaj qytetarëve dhe zhvillimin kulturor.
Ai shtoi se për komunën është me rëndësi që ky institucion të vazhdojë të funksionojë dhe të përforcohet përmes angazhimit të stafit profesional.
“Për ne është thelbësore që ansambli të jetë aktiv dhe në shërbim të qytetarëve. Procesi duhet të fillojë me sigurimin e kuadrit të nevojshëm kulturor dhe po punohet për të marrë miratimet për punësime të reja”, u shpreh Kasami.
Debati rreth Ansamblit Muzikor të Tetovës vjen në kuadër të përgatitjes së strategjisë së re kombëtare për kulturën, e cila synon riorganizimin dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve kulturore në vend.
