Salla sportive e qytetit në Tetovë, e ndërtuar që në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ende nuk ka hyrë në funksion për qëllimin e saj fillestar.
Ky objekt, me kapacitet rreth 5 mijë ulëse, mbetet i vetmi në qytet që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe atyre të ligës së parë. Megjithatë, në vend që të shfrytëzohet për aktivitete sportive, aktualisht përdoret për veprimtari biznesi, pasi brenda saj operojnë disa kompani prodhuese dhe shërbyese.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, bëri të ditur se pas një periudhe të gjatë procesesh, janë fituar të gjitha çështjet ligjore dhe tashmë objekti i është kthyer nën menaxhim komunës.
Sipas tij, komuna po përgatit një projekt për rikonstruksionin e sallës, me synimin që ajo të rikthehet në funksion të sportit dhe të përmbushë standardet për gara ndërkombëtare në disiplina si basketboll, volejboll dhe hendboll. Ai shtoi se së shpejti, përkrah stadiumit, edhe kjo sallë pritet të jetë në dispozicion të sportistëve tetovarë.
Nga Komuna e Tetovës theksohet se objekti ishte dhënë me koncesion një kompanie private në vitin 2001, me të drejtë menaxhimi deri në vitin 2034. Megjithatë, janë zhvilluar bisedime për ndërprerjen e këtij koncesioni dhe rikthimin e sallës në pronësi të pushtetit lokal, proces i cili tashmë ka përfunduar.
Ndërkohë, këtë vit komuna ka marrë në kontroll edhe stadiumin e qytetit, i cili më parë administrohej nga i njëjti koncesionar privat. Aktualisht aty po zhvillohen punime ndërtimore, ndërsa autoritetet lokale paralajmërojnë se stadiumi do të transformohet plotësisht brenda 18 muajve.
