“ÇFARË PO NDODH ME 13 MILIONËT?” – Dëshmitë tronditin rastin e Teatrit në Tetovë

Në seancën e fundit gjyqësore lidhur me projektin për ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës, Vlladimir Popovski, deklaroi se institucioni nuk ka konstatuar dëm financiar gjatë realizimit të projektit.

Ai theksoi se Ministria nuk ka kryer një ekspertizë të veçantë dhe, si rrjedhojë, nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim dëmi. Sipas tij, shqetësimi i vetëm lidhet me mënyrën e ndjekjes së procedurave administrative gjatë realizimit të punimeve. Popovski shtoi gjithashtu se pagesat janë kryer në përputhje me dokumentacionin përkatës dhe marrëveshjet shtesë të nënshkruara.

Gjatë seancës dëshmuan edhe ekspertë nga fusha e ekonomisë dhe ndërtimit, si Biljana Gigovska, Liljana Kovaçevska dhe Anton Kajtazi. Ata vlerësuan se nuk janë evidentuar shkelje të Ligjit për furnizime publike dhe as parregullsi në mbikëqyrjen e projektit.

Sipas ekspertes Gigovska, rritja e vëllimit të punimeve me rreth 17.7% është realizuar në përputhje me ligjin, pasi është dokumentuar dhe miratuar nga të gjitha palët e përfshira në projekt.

Megjithatë, për shkak të mospërputhjeve mes pretendimeve të akuzës dhe konstatimeve të ekspertëve, Gjykata vendosi të kërkojë një superekspertizë të re, e cila do të kryhet nga ekspertë të autorizuar nga lista zyrtare.

Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar për 1 qershor. Rasti lidhet me akuza për shkelje të procedurave të furnizimeve publike, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe veprim të pandërgjegjshëm në shërbim.

Në këtë proces gjyqësor janë të përfshirë disa persona, përfshirë ish-drejtues dhe përfaqësues të projektit, të cilët akuzohen për menaxhim të dyshimtë të fondeve që arrijnë në rreth 13 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *