Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, synon që skuadra e tij të sigurojë një avantazh vendimtar që në ndeshjen e parë çerekfinale të Champions League ndaj Atletico Madridit.
Sipas raportimeve nga “El Chiringuito”, tekniku gjerman e konsideron thelbësore që katalanasit ta “mbyllin” kualifikimin që në sfidën e parë në “Camp Nou”, për të shmangur çdo rrezik në ndeshjen e kthimit.
Brenda klubit ekziston një shqetësim i madh për transfertën në “Wanda Metropolitano”, një stadium ku Atletico njihet për intensitetin dhe atmosferën e zjarrtë që shpesh vendos fatin e ndeshjeve të mëdha.
Për këtë arsye, Barcelona nuk dëshiron ta lërë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Madrid, duke synuar të krijojë një diferencë të konsiderueshme që në shtëpi.
Strategjia e Flick është e qartë: dominim që nga minuta e parë dhe ndërtimi i një epërsie të sigurt për të menaxhuar më pas ndeshjen e dytë.
Megjithatë, situata nuk është ideale për katalanasit, të cilët po përballen me mungesa të rëndësishme në mesfushë, si dhe një kalendar të ngjeshur në këtë fazë të sezonit.
Pavarësisht këtyre vështirësive, kjo përballje shihet si një moment kyç për ecurinë evropiane të Barcelonës.
Nëse plani i Flick funksionon, gjigantët katalanas mund të hedhin një hap të madh drejt gjysmëfinales që në “Camp Nou”, përpara një ndeshjeje kthimi që pritet të jetë shumë më e vështirë.
