LSDM: A i ka përgatitur qeveria e Mickoskit dokumentet për ekstradimin e Gruevskit?

LSDM ka reaguar sot duke kërkuar sqarime nga Qeveria e drejtuar nga Hristijan Mickoski lidhur me procedurën për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Nga kjo parti theksojnë se Ministria e Drejtësisë kishte paralajmëruar më herët se do të mbledhë informacion nga institucionet gjyqësore dhe prokuroritë për të gjitha rastet që lidhen me Gruevskin, në mënyrë që të veprojë në përputhje me ligjin. Megjithatë, LSDM pyet se në çfarë faze ndodhet aktualisht ky proces dhe nëse është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për kërkesën e ekstradimit.

Sipas tyre, ndërkohë që institucionet në vend ende janë në fazë përgatitore, shtete të tjera kanë vepruar më shpejt në raste të ngjashme, duke ndërmarrë hapa konkretë për ekstradime.

Nga LSDM pretendojnë se vonesat në këtë rast mund të jenë të qëllimshme dhe paralajmërojnë për rrezikun që ish-kryeministri të shmangë drejtësinë nëse procedurat zvarriten më tej.

Ata gjithashtu bëjnë thirrje që institucionet kompetente të përshpejtojnë veprimet dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar kthimin e Gruevskit në vend, në mënyrë që të përballet me drejtësinë.

Në fund, LSDM kërkon transparencë dhe veprime të menjëhershme nga Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *