Një 29-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa vitesh, është lokalizuar dhe arrestuar në Belgjikë, ndërsa tani pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Nasi Hodo, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Vlorës me 18 vite burg për disa vepra të rënda penale, përfshirë vrasje me dashje në bashkëpunim, tentativë vrasjeje dhe plagosje.
Arrestimi i tij u realizua falë bashkëpunimit të shpejtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre belge, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, përmes rrjetit ndërkombëtar ENFAST.
Sipas hetimeve, ngjarja për të cilën ai u dënua daton në korrik të vitit 2017, kur në një konflikt në fshatin Borsh, ai së bashku me dy persona të tjerë dyshohet se i mori jetën një shtetasi me mjet prerës dhe plagosi një tjetër. Gjithashtu, ai akuzohet edhe për plagosjen e një personi të tretë.
Aktualisht, autoritetet po vijojnë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të përballet me pjesën e mbetur të dënimit prej mbi 13 vitesh burg.
