Arsyeja pse nuk ke qetësi mendore/ 3 zakonet që të mbajnë të bllokuar emocionalisht

Njerëzit që kanë siguri emocionale, sipas ekspertëve të sjelljes, kanë një raport më të shëndetshëm me ndjenjat e tyre dhe mënyrën si i përballojnë situatat e vështira.

Ata nuk i shmangin emocionet e pakëndshme dhe nuk përpiqen t’i shtypin ato, por i pranojnë si pjesë normale të jetës.

Kjo i ndihmon të kenë më shumë qetësi dhe ekuilibër në përditshmëri, duke mos reaguar në mënyrë të tepruar ndaj stresit apo problemeve.Specialistët shpjegojnë se kjo gjendje nuk varet vetëm nga faktorë biologjikë apo familjarë, por edhe nga zakonet e përditshme dhe mënyra se si një person përballet me emocionet.

Një nga sjelljet që këta njerëz shmangin është kritika e tepërt ndaj të tjerëve. Sipas analizave psikologjike, kritika e vazhdueshme mund të krijojë ndjesi të përkohshme epërsie, por në planin afatgjatë dëmton vetëvlerësimin dhe marrëdhëniet me të tjerët. Për këtë arsye, ata përpiqen të fokusohen më shumë te zgjidhjet sesa te gjykimet.

Një tjetër tipar është vëmendja ndaj emocioneve të tyre. Në vend që t’i injorojnë ndjenjat e vështira, ata përpiqen t’i kuptojnë dhe t’i përpunojnë, duke shmangur shtypjen e tyre, gjë që mund të sjellë më shumë stres me kalimin e kohës.

Po ashtu, ata përpiqen të kufizojnë mendimet negative dhe të menduarit e tepërt. Ekspertët thonë se mendja prodhon vazhdimisht mendime, por jo të gjitha janë të sakta apo të dobishme. Për këtë arsye, njerëzit emocionalisht të qëndrueshëm mësojnë të mos i marrin të gjitha mendimet si të vërteta dhe të mos lejojnë që ato t’i dominojnë.

Sipas specialistëve, këto zakone të thjeshta të përditshme luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin e një stabiliteti më të madh emocional dhe një jete më të qetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *