Tetovari vendos alarm në 5:00 për palestër… por zgjohet vetëm për ta shtyrë në 9:00

 

Në një histori që shumë veta do ta ndjejnë si “shumë personale”, një i ri nga Tetova është bërë viral mes shokëve pasi ka krijuar një rutinë të re fitnesi… që funksionon vetëm në teori.

Sipas burimeve të afërta (dmth shokëve të tij në kafe), ai vendosi të ndryshojë jetën dhe të fillojë palestrën çdo mëngjes në orën 5:00. Motivimi ishte i madh, videot në Instagram e kishin bindur dhe madje kishte blerë edhe rroba sportive të reja “për disiplinë”.

Por realiteti rezultoi pak më ndryshe.

Alarmi bie në 5:00. Ai zgjohet, e fik me vendosmëri… dhe me të njëjtën vendosmëri vendos një tjetër alarm në 6:30. Në 6:30, historia përsëritet. Në fund, dita fillon në 9:00 me një kafe dhe një premtim të ri: “nesër pa fail”.

“Jam shumë afër versionit tim më të mirë,” tha ai për miqtë, ndërsa mbante në dorë një byrek dhe një kafe të tretë. “Vetëm më duhet edhe pak kohë… dhe ndoshta një alarm më i fortë.”

Ndërkohë, palestra në lagje konfirmon se ai ka bërë abonim mujor, por prezenca e tij deri më tani është parë vetëm në ditën kur ka bërë pagesën.

Ekspertët (pra shokët e tij) sugjerojnë se faza tjetër e planit përfshin: blerjen e një shisheje uji “motivimi”, postime “coming soon” dhe një tjetër fillim nga e hëna.

Historia vazhdon… çdo mëngjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *