“Deklaratë e fortë nga Tatlıses: ‘Fëmijët s’do marrin asgjë nga pasuria ime’”

Legjenda e muzikës turke İbrahim Tatlıses është larguar nga Acibadem Altunizade Hospital në Stamboll, ku ishte shtruar prej fillimit të prillit dhe i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në fshikëzën e tëmthit. Dalja e tij nga spitali nuk kaloi pa vëmendje, pasi artisti bëri disa deklarata që ndezën reagime në publik.

Në një prononcim për mediat, ai foli hapur për periudhën e qëndrimit në spital dhe për raportet familjare, duke treguar se kishte vendosur vetë që disa prej fëmijëve të mos e vizitonin gjatë kësaj kohe.

Këngëtari u ndal edhe te marrëdhëniet brenda familjes, duke përmendur me tone më të afërta vajzën Tuğçe Tatlıses, ndërsa la të kuptohet se raporti me djalin Ahmet Tatlıses mbetet i tensionuar.

“Jo të gjithë kanë të njëjtin vend në zemrën time”, u shpreh ai, duke shtuar se në një situatë të tillë ai vetë nuk do ta linte kurrë babanë e tij vetëm.

Deklarata që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ajo lidhur me pasurinë. Tatlıses bëri të ditur se nuk planifikon t’ua lërë trashëgiminë fëmijëve, por shtetit turk, duke theksuar se gjithçka e ka ndërtuar vetë dhe se secili duhet të krijojë rrugën e tij. Sipas tij, emri që mban është trashëgimia më e madhe që u ka lënë.

Në fund, ai dha edhe një lajm pozitiv për fansat, duke paralajmëruar rikthimin në muzikë. Këtë javë pritet publikimi i projektit të ri “Baboş”, ndërsa me humor bëri edhe një parashikim sportiv, duke thënë se në derbin e ardhshëm Fenerbahçe do të dalë fitues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *