“Fitorja e madhe e Selin Bollatit: deklarata që preku zemrat e publikut”

Fituesja e edicionit të pestë të Big Brother VIP, Selin Bollati, ka ndarë emocionet e para pas triumfit të saj, duke folur për eksperiencën 120-ditore brenda shtëpisë.

Ajo e përshkroi këtë rrugëtim si një aventurë të mbushur me emocione të forta, surpriza dhe shumë dinamika, ndërsa pranoi se ende po përjeton ndjesi të përziera pas shpalljes fituese.

“Jam shumë e emocionuar dhe ende nuk po arrij ta besoj plotësisht. Po shoh familjarët e mi dhe të gjithë ata që kanë ardhur për mua, ndërsa brenda vetes kam një përzierje emocionesh. Ndihem e lumtur që ky rrugëtim përfundoi me fitore. Në fillim mendoja se do të qëndroja vetëm pak ditë në shtëpi, por përfundova duke kaluar plot 120 ditë aty dhe tani më duket e çuditshme të rikthehem jashtë, sepse u mësova me atë realitet”, u shpreh ajo.

Selin theksoi se vlerësimi më i madh për të nuk ishte vetëm çmimi prej 100 mijë eurosh, por mbështetja dhe dashuria që mori nga publiku gjatë gjithë rrugëtimit.

“Fitorja më e madhe është dashuria e njerëzve. Kur kupton që publiku të ka mbështetur dhe ka gjetur veten tek ti, kjo është vlera më e madhe. Përtej çmimit, kjo eksperiencë më ka dhënë shumë: kam njohur më mirë veten dhe kam fituar dashurinë e publikut”, tha ajo.

Duke folur për marrëdhënien me Gimbion, Selin u shpreh optimiste për të ardhmen e tyre dhe tha se mezi pret që ta vazhdojnë lidhjen larg kamerave.

Ajo ndau edhe emocionet për surprizën e finales, duke treguar se momenti më prekës ishte mesazhi i babait të saj.

“Surpriza ishte jashtëzakonisht emocionuese. Gjithçka ishte menduar që unë të isha vetëm në koreografi, por kur pashë vajzën e vogël dhe më pas dëgjova mesazhin e babait tim, ishte një moment që më preku thellë dhe do të mbetet kujtimi më i bukur nga kjo eksperiencë”, përfundoi Selin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *