“Mickoski: Ligji i ri për arsimin e lartë vjen nga universitetet – jo vendim politik!”

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se projektligji i ri për arsimin e lartë nuk është përgatitur në mënyrë të njëanshme, por përmes diskutimeve dhe konsultimeve me universitetet dhe komunitetin akademik.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi shtetërore, e cila lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e të rinjve dhe me cilësinë e arsimit të lartë në vend.

Sipas tij, sistemi i arsimit të lartë ka pësuar rënie gjatë viteve të fundit, sidomos pas miratimit të zgjidhjeve të mëparshme ligjore, për të cilat tha se kanë ndikuar negativisht në standardet akademike, avancimin në tituj dhe nivelin e kërkimit shkencor.

Mickoski u shpreh se për një periudhë të gjatë nuk ka pasur analizë serioze dhe as hapa konkretë për përmirësim, ndërsa tani, sipas tij, Qeveria po ndërton një ligj të ri në partneritet me botën akademike.

Ai shtoi se ligji i ri synon t’u përgjigjet sfidave reale në arsimin e lartë, me fokus të veçantë te të rinjtë që zgjedhin të studiojnë, jetojnë dhe ndërtojnë karrierën e tyre në vend.

Ndër ndryshimet që ai veçoi, është mundësia që studentët më të suksesshëm të kenë përparësi në punësim në universitetet shtetërore, si dhe vendosja e një modeli të ri financimi për institucionet e arsimit të lartë.

Sipas Mickoskit, buxheti për universitetet arrin në 7.5 miliardë denarë, duke shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa paralajmëroi se mbështetja financiare do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ai nënvizoi gjithashtu se vëmendje më e madhe do t’i kushtohet edhe shkencës dhe mbështetjes për punimet shkencore, me synimin që universitetet në vend të rikthehen si qendra të njohura të cilësisë dhe inovacionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *